Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon akad. Petrit Gaçen

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon akad. Petrit Gaçen, themelues dhe epinom i kardiokirurgjisë shqiptare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon akad. Petrit Gaçen

Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike

Zgjidhet kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike

Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike

Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Ngrihet pranë Akademisë së Shkencave Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Forumi i dytë

Akademia e Shkencave ka mbajtur sot forumin e tretë shkencor "Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 dhe përballimi i saj në Shqipëri”

Forumi i dytë

Njesia kerkimore e Bioteknologjise dhe Gjenetikes

Krijohet pranë Akademisë së Shkencave Njësia kërkimore e përkohshme e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës

Njesia kerkimore e Bioteknologjise dhe Gjenetikes

Konferenca e shumëgjuhësisë/Shkup 2020

Në Shkup të Maqedonisë u mbajt Konferenca triditore kushtuar dygjuhësisë, tregjuhësisë, shumëgjuhësisë

Konferenca e shumëgjuhësisë/Shkup 2020

Çelet Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji

Personalitete të shkencës dhe politikës shqiptare dhe asaj botërore përshëndesin veprimtarinë më të madhe shkencore që mbahet këto ditë në Tiranë

Çelet Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji

 

REAGIMI SHKENCOR KUNDER COVID19

Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike miraton kandidaturat për titujt “akademik” dhe “akademik i asociuar” të ASH-së

Fjala e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi

Në nderim të 210-vjetorit të lindjes së Johann Georg von Hahn-it, themeluesit të albanologjisë, në kuptimin e vërtetë shkencor të kësaj fjale Georg von Hahn-i iu kushtua përjashtimisht gjuhës shqipe, historisë së popullit që e kishte trashëguar, etnogjenezës së tij, pastaj edhe protogjenezës së tij.

Ai sistemoi për herë të parë tezën se ilirishtja ishte formuar në mjedisin e një gjuhe tjetër pre-ilire.

 

***

 

 

Të nderuar të pranishëm, studiues të gjuhësisë, arkeologjisë, historisë dhe etnokulturës shqiptare,

Të nderuar akademikë!

Ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë shkencore, që organizohet nga Seksioni i Shkencave Shoqërore Albanologjike, me nismën e komisionit të përhershëm të histori-arkeologjisë, në nderim të 210-vjetorit të lindjes së themeluesit të albanologjisë, në kuptimin e vërtetë shkencor të kësaj fjale, siç e vlerësonte shprehimisht Georg von Hahn-in akademiku ynë i shquar Eqrem Çabej.

 

Interesimi i Hahnit për shqiptarët, për lashtësinë e tyre, për origjinën ilire dhe para-ilire, apo për karakterin e shqipes si gjuhë indoeuropiane, lindi në shekullin e romantizmit europian dhe të iluminizmit gjerman. Zhgënjimi prej epokës industriale nxiti shumë mendimtarë e krijues europianë të arratiseshin nga bota e tyre dhe të kërkonin vlera të larta njerëzore në popuj që ende nuk e kishin provuar këtë deziluzion: para së gjithash në Ballkan e më në Lindje. Kështu lindi shkenca nostalgjike perëndimore, që idealizonte popujt ende të pashquar, gjuhët dhe traditat e tyre puritane, të pacenuara nga shekulli i industrisë.

 

Në vendin dhe gjuhën e tij amtare Hahni kishte si paraprirës dy figura madhështore: Lajbnicin dhe Bopin, të cilët, në mënyrë të sigurt dhe bindëse, e kishin përcaktuar për herë të parë në histori gjuhën shqipe si degë më vete në pemën e gjuhëve indoeuropiane, pa lidhje farefisnie me gjuhë të tjera, origjinale në tiparet themelore të saj e si pasardhëse të ilirishtes.

Merita më e rëndësishme e Hahnit është se, megjithëse edhe vetë ishte diplomat e konsull, e ndau albanologjinë prej shkencës së dëshirës dhe e ktheu në shkencë të arsyes e të argumentit.

 

Veçantia tjetër e Hahnit është se, ndryshe prej paraardhësve, të cilët kishin qenë të detyruar që herët a vonë të merreshin edhe me shqipen, për shkak të domosdoshmërisë së krahasimeve në kuadër të helenistikës, romanistikës apo sllavistikës, ai iu kushtua përjashtimisht kësaj gjuhe, historisë së popullit që e kishte trashëguar, etnogjenezës së tij, pastaj edhe protogjenezës së tij. Në historinë e albanologjisë numri i atyre që e kanë pasur albanologjinë si objekt të papërzier me shkenca të tjera të antropologjisë, janë shumë pak.

 

Nuk është e rastit që pikërisht shkolla austro-gjermane, para, gjatë dhe pas shekullit të Hahnit, e ktheu albanologjinë në një shkencë me objekt, metodë dhe qëllim të përkufizuar. Kjo është koha kur politika kulturore e perandorisë habsburgase i orientoi studiuesit të drejtonin vëmendjen e tyre tek popujt e pazbuluar dhe gjuhët e tyre të vogla.

 

Hahni bëri tri ekspedita kërkimore të programuara drejtpërsëdrejti në hapësirën shqiptare, që nga Janina gjer në Mitrovicë. Nuk la qytet e qytezë pa vizituar. Studimet e tij para së gjithash patën si qëllim t’u përgjigjen pyetjeve themelore që edhe sot përbëjnë paradigmën serioze të albanologjisë: ç’janë shqiptarët si popull, cili është burimi gjenetik i tyre, prej ç’kohe gjenden në trojet ku jetojnë, çfarë gjuhe flasin, cili është vendi i kësaj gjuhe në familjen e gjuhëve indo-europiane, cilat janë lidhjet historike dhe fqinjësore me popujt e tjerë. Në mënyrë bindëse Hahni argumentoi burimin ilir të shqipes dhe në mënyrë po aq bindëse shpjegoi pse historia e saj ishte më pak e njohur, në kushtet e veprimit eklipsues të dy gjuhëve fqinje të shkruara: greqishtes dhe latinishtes.

 

Hahni nuk u mjaftua me pohimin e argumenteve në favor të tezës së vazhdimësisë historike-gjenetike iliro-shqiptare. Ai sistemoi për herë të parë tezën se ilirishtja ishte formuar në mjedisin e një gjuhe tjetër pre-ilire, madje edhe pre-greke, që nuk mund të ishte tjetër veçse gjuha e pellazgëve. Për këtë tezë ishin shprehur edhe të tjerë para tij, këtë tezë do ta përkrahnin bashkë me të personalitetet më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, prej Dora d’Istrias e Dhimitër Kamardës deri tek Naim e Sami Frashëri. Hahni iu shmang formave dëshirore lidhur me këtë tezë dhe, pasi krijoi ekuacionet e veta etimologjike për vërtetimin e burimit ilir të shqipes, shtroi pyetjen se ku kishte humbur pellazgjishtja, në cilën gjuhë kishte lënë më shumë gjurmë, pse gjuhët e shkruara nuk ofronin dhe aq shumë dëshmi për të dhe pse mbijetojat e saj duhej të kërkoheshin tek para-ilirishtja.

 

Në qindjvetëshin e kaluar, shkenca austro-gjermane në gjysmëshekullin e parë dhe shkenca shqiptare në gjysmëshekullin e dytë, nisur prej parimit se dy të panjohura a të njohura pak vështirë të krahasohen me njëra-tjetrën, iu vunë punës për të vërtetuar karakterin ilir të shqipes, dhe ia dolën mbanë. Në këto kushte, teza e një nënshtrese pellazge të pranishme në ilirishte e prej këndej edhe në shqipe, e shmangur prej shkencës serioze, ra në duar të diletantëve dhe vullnetarëve të dijes dhe kështu u komprometua. Për më tepër, parashtrimet e tyre u keqpërdorën për të dëmtuar imazhin e albanologjisë prej shkencave të tjera konkurruese në Ballkan.

 

Koha që ka kaluar që prej botimit të Studimeve shqiptare të Hahnit dhe të kërkimeve të tjera të tij në fushën e historisë, arkeologjisë, besimeve, shkrimeve, ka provuar se ai nuk qe ndonjë albanofil idealist, por një studiues serioz. Për një kohë të gjatë çështja e etnogjenezës së popullit shqiptar i është mirëbesuar më së pari gjuhësisë. Në vitin 1972, Eqrem Çabej, që, siç thonë ata që e kanë njohur drejtpërsëdrejti, shquhej për gjakftohtësi e jo për entuziazëm, në përfundim të kuvendit të parë të studimeve ilire, u shpreh se ishte një arritje themelore që shkencat e tjera albanologjike, si arkeologjia, po mbështesnin argumentet e gjuhësisë për këtë çështje, duke parandjerë se arkeologjia do të kishte më tepër mundësi dhe do të ofronte më shumë të dhëna për të ndriçuar periudhën parailire. Dhe, një gjysmë shekulli prej asaj kohe, edhe raportet midis shkencave albanologjike kanë ndryshuar. Sot arkeologjia, me zbulimet e saj në dhjetëravjeçarë, në dhjetëra site në vijën bregdetare dhe sidomos në prapatokë, mund të na shpjerë dijen tonë, së paku edhe një-dy mijëvjeçar më në thellësi se gjuhësia.  

 

Kultura materiale, me tipologjinë e armëve dhe orendive, me datimin historik të kohës së shfaqjes së metalurgjisë, me ritet e varrimit, mund të identifikojë se ç’kishte para ilirëve në këto hapësira, a pati konflikte midis ardhësve dhe vendësve gjatë migrimeve indoeuropiane, ndikimet e ardhësve a ishin mbikaspikiane apo anatoliane, cilat qenë relacionet midis tyre, a ishin më të kulturuar ardhësit se vendësit, cilët e sa ndikuan ata në ngjizjen e etnosit ilir etj. Të gjitha këto pyetje marrin përgjigje gjithnjë e më të faktuar se cilët ishin faktorët dhe në ç’masë ndikuan ata në ngjizjen e etnosit ilir. Në dritë të këtyre pyetjeve studimet e Hahnit marrin një vlerë që nuk i është dhënë më parë, duke forcuar  pohimi i Çabejt se ai ishte albanolog në kuptimin shkencor të fjalës e për këtë ai meriton gjithë vlerësimin e nderimin tonë.

 

Faleminderit!

Akad. Skënder Gjinushi, Kryetar

Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Tiranë, më 31 mars 2022