Mbledhje e përbashkët e Kryesisë së Akademisë dhe e kryetarëve të komisioneve
- Details
- Hits: 167
Mbledhja u thirr nga Kryetari i Akademisë prof. Skënder Gjinushi, i cili, në parashtresën e tij, foli për mënyrën si po shfrytëzohet hapësira e re ligjore dhe autonomia institucionale për rritjen e rolit të Akademisë së Shkencave në gjithë sistemin akademik-universitar të vendit.
Në këtë kontekst ai theksoi hapin e ri në aspektin organizativ-strukturor, me përgatitjen e procesit të kalimit nga njësitë e përkohshme në qendra kërkimore të përhershme, si ajo e bioteknologjisë dhe e gjeoshkencave. Kongresi i dytë ndërkombëtar i nanoteknologjisë, që do të mbahet edhe këtë vit në Shqipëri; si dhe disa veprimtari të tjera të njësive, u veçuan për rëndësinë e tyre.
Hapa të ngjashëm janë hedhur edhe në shkencat albanologjike. U bë e ditur se në mbledhjen e afërme të Asamblesë do të propozohet krijimi i një komiteti organizues-shkencor për nderimin e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe një komitet tjetër për përkujtimin dhe vlerësimin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, krahas ngjarjeve të tjera. Kryetari Gjinushi bëri të ditur vlerësimin e lartë të albanologëve të huaj për Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike mbajtur në nëntorin e vjetshëm, duke theksuar faktin që, përkundër disa dyshimeve në fillimet e përgatitjeve, ky kuvend konfirmoi nivelin e barabartë dhe konkurrues të studimeve vendëse me ato të të huajve. Një rast tjetër përballjeje do të jetë Kongresi i 50-të Botëror i Studiuesve të Baladës, që këtë vit do të zhvillohet në Shqipëri, me organizator vendës Akademinë e Shkencave.
U kërkua që komisionet të propozojnë veprimtari të emërtesës së Akademisë, të seksioneve dhe të vetë komisioneve, për t'u përfshirë në programin e punës të vitit 2022.
Njëherësh u njoftua procedura për zhvillimin e konkursit për "Çmimin e Karrierës". Sipas rregullores së miratuar nga Asambleja, kandidaturat që propozohen nga anëtarët e saj dhe nga kryetarët e komisioneve përzgjidhen e votohen nga "Kryesia e zgjeruar", term që në rregullore përfshin anëtarët e Kryesisë e kryetarët e komisioneve, të cilët bashkërisht ushtrojnë funksionet e jurisë për këtë çmim. U bë e njohur procedura dhe kalendari i punës së jurisë. Kjo mbledhje u cilësua edhe si institucionalizim i saj.
Të pranishëm të gjithë anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e komisioneve.