Akademik Nazim Gruda zgjidhet anëtar nderi i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Rumanisë
- Details
- Hits: 198
***
Akademia e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore “Gheorghe Ionescu - Șisești” me seli në Bukuresht, Rumani, njofton që në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të saj ka zgjedhur si anëtar nderi (Honorary Member) akademikun nga Shqipëria, Nazim Gruda.
Akademia e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Rumanisë do të jetë një nga organizatorët e Simpoziumit të 9-të të Evropës Juglindore për perimet dhe pataten në vitin 2023.
Zoti Gruda, punon e jeton në Gjermani e njihet në qarqet profesionale si ekspert i hortikulturës. Ai është Kryetar i Grupit të Punës të Shoqatës Ndërkombëtare të Shkencave të Hortikulturës për Evropën Juglindore; kryetar i Grupit të Punës të Organizatës Ndërkombëtare të Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) për prodhimin në serra të Europës Juglindore; përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Unionin e Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës dhe përfaqësues alternativ në Grupin e Punës të Federacionit të Akademive Europiane të Shkencave dhe Humaniteteve (ALLEA) në Fushën e Shkencave Evropiane, etj.
Prof. Dr. Nazim S. Gruda është akademik i asociuar (2008) dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që nga viti 2012. Veç saj ai është anëtar korrespondent i Akademisë më të vjetër në botë për bujqësinë, mjedisin dhe ushqimin “Academia dei Georgofili”, Itali dhe “Shkencëtar i shquar” i Akademisë së Shkencave kineze.
Në vlerësimin e fundit të kryer nga ekspertet e Universitetit të Stanfordit në SHBA 2021, ai hyn në 2% të shkencëtarëve më me ndikim në botë “World’s Top 2% Scientists”.