Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon akad. Petrit Gaçen

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon akad. Petrit Gaçen, themelues dhe epinom i kardiokirurgjisë shqiptare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon akad. Petrit Gaçen

Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike

Zgjidhet kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike

Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike

Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Ngrihet pranë Akademisë së Shkencave Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Forumi i dytë

Akademia e Shkencave ka mbajtur sot forumin e tretë shkencor "Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 dhe përballimi i saj në Shqipëri”

Forumi i dytë

Njesia kerkimore e Bioteknologjise dhe Gjenetikes

Krijohet pranë Akademisë së Shkencave Njësia kërkimore e përkohshme e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës

Njesia kerkimore e Bioteknologjise dhe Gjenetikes

Konferenca e shumëgjuhësisë/Shkup 2020

Në Shkup të Maqedonisë u mbajt Konferenca triditore kushtuar dygjuhësisë, tregjuhësisë, shumëgjuhësisë

Konferenca e shumëgjuhësisë/Shkup 2020

Çelet Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji

Personalitete të shkencës dhe politikës shqiptare dhe asaj botërore përshëndesin veprimtarinë më të madhe shkencore që mbahet këto ditë në Tiranë

Çelet Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji

 

REAGIMI SHKENCOR KUNDER COVID19

Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike miraton kandidaturat për titujt “akademik” dhe “akademik i asociuar” të ASH-së

Kryetari i Akademisë së Shkencave përshëndet konferencën ndërkombëtare “Arsimi dhe kultura në shoqërinë bashkëkohore” në Universitetin Fan S. Noli të Korçës

 

-Akad. Skënder Gjinushi: Kryereforma në vendet si i yni, që kërkojmë t’i bashkohemi Evropës së bashkuar, duhet të jetë ajo në arsim e shkencë me përparësi ndaj atyre në drejtësi, gjyqësor apo asaj zgjedhore; transformimi i infrastrukturës shkollore, veçanërisht në arsimin e lartë, duhet të jetë më parësor se transformimi i infrastrukturës rrugore.-

 ***

 

 

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi ka përshendetur sot konferencën ndërkombëtare “Arsimi dhe kultura në shoqërinë bashkëkohore” (Education and Culture in Contemporary Society) që mbahet në Universitetin Fan S. Noli të Korçës – i cili sivjet ka 50 vjetorin e krijimit.

 

Akademia e Shkencave është bashkëorganizatore me universitetin “Fan Noli” të Korcës për këtë konferencë ndërkombëtare dyditore (5-6 nëntor 2021) me pjesëmarrjen e institucioneve akademike e kërkimore nga vendi, rajoni dhe më gjerë, ku pritet të mbahen rreth 210 kumtesa nga 330 autorë e bashkautorë nga rreth 25 shtete.

 

 

Akademik Skënder Gjinushi bashkëkryetar i konferencës ndërkombëtare me Rektorin e Universitetit të Korçës “Fan Noli” Dhimitri Bello, ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe i ka uruar mirëseardhjen kësaj konference ndërkombëtare kushtuar një prej çështjeve më problematike për shoqëritë e sotme: arsimit dhe kulturës në kontekstin e zhvillimeve bashkëkohore.

 

Kryetari i Akademisë së Shkencave theksoi se “kryereforma në vendet si i yni, që kërkojmë t’i bashkohemi Evropës së bashkuar, duhet të jetë ajo në arsim e shkencë me përparësi ndaj atyre në drejtësi, gjyqësor apo asaj zgjedhore; transformimi i infrastrukturës shkollore, veçanërisht në arsimin e lartë, duhet të jetë më parësor se transformimi i infrastrukturës rrugore.”

 

“Në shoqëritë tona shkollat e larta janë e duhet të jenë qendrat kryesore të kërkimit shkencor, sa më e zhvilluar është shoqëria aq më e fortë është kërkesa e saj ndaj shkollës së lartë, për të rritur këtë komponent. Zhvillimi e fuqizimi i kërkimit shkencor është një mision i përbashkët i Akademisë e shkollave të larta.” -tha akad. Gjinushi.

***

 

Fjala e plotë e Kryetarit të Akadmisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi

 

I nderuar prof. Dhimitri Bello, bashkëkryetar i konferencës ndërkombëtare për arsimin dhe kulturën në shoqërinë bashkëkohore dhe Rektor i Universitetit të Korçës “Fan Noli”;

Të nderuar rektorë e përfaqësues të universiteteve të Durrësit, të Gjilanit, të Prizrenit, të Mitrovicës, të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë; të kolegjit AAB të Prishtinës;

Të nderuar përfaqësues të Qendrës për Formimin e Lidershipit;

Përfaqësues të Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës;

Përfaqësues të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë dhe të Institutit Shqiptar të Sociologjisë;

Të nderuar të pranishëm, pjesëmarrës në këtë konferencë tashmë tradicionale kushtuar arsimit dhe kulturës nga gjithë hapësira historike shqiptare, nga rajoni i Ballkanit dhe nga Evropa; drejtpërdrejt a në distancë; profesorë e kërkues, studentë e nxënës;

 

Kam kënaqësinë që, në emër të ASH e në cilësinë e bashkëorganizatorit, t’Ju uroj mirëseardhjen e shumë suksese kësaj konference ndërkombëtare, ndërdisiplinore dhe ndërinstitucionale, kushtuar një prej çështjeve më preokupante për shoqëritë e sotme: arsimit dhe kulturës në kontekstin e zhvillimeve bashkëkohore.

 

Duke falënderuar të gjithë ata studiues, që kanë udhëtuar nga larg dhe janë bashkuar me ne në këtë forum; Korçën tonë mikpritëse, Universitetin “Fan Noli”, për kushtet që na ka krijuar, siç e ka traditë, për mbarëvajtje të suksesshme të punimeve; Institutin Shqiptar të Studimeve Sociologjike, që ka luajtur rolin e një force lëvizëse dhe koordinuese për përgatitjen e kësaj konference, të cilin e nxisim dhe e mbështesim në organizimin e forumeve të tilla ndëruniversitare edhe në të ardhmen.

 

Në këtë konferencë do të paraqiten rezultate studimesh e përvojash prej përfaqësuesve të institucioneve, bashkësive e grupeve të lidhura ngushtë me çështje të arsimimit dhe edukimit: nga drejtues institucionesh universitare e shkollore, përfaqësues të institucioneve të akreditimit të tyre, autorë tekstesh e programesh, profesorë e studiues në fushën e pedagogjisë, psikologjisë, metodikës, didaktikës; mësues me përvojë, sociologë të kulturës dhe arsimit, ekspertë të mësimdhënies, mësues e studentë të interesuar.

 

Prof. Dhimitri Bello dhe unë si bashkëkryesues të konferencës, jemi të bindur se gjatë ditëve të zhvillimit të saj do të ketë kontribute me dobi, me të cilat të interesuarit mund të njihen edhe nëpërmjet botimeve të akteve të paraqitura në vëllime të shtypura ose të numerizuara.

 

Pse kjo konferencë është e nevojshme dhe çfarë presim ne prej saj?

 

Së pari, kjo konferencë merr rëndësi për vetë tematikën së cilës i kushtohet.

 

Arsimi dhe kultura, shkalla e zhvillimit të tyre janë tipari kryesor i një shoqërie, janë treguesi primar i stadit të zhvillimit të saj në gjithë treguesit ekonomik e social, ato janë pasqyra në të cilën një shoqëri sheh vetveten.

 

Niveli i zhvillimit të arsimit me atë të ekonomisë e shoqërisë shkojnë së bashku, raport i cili sigurisht që kushtëzohet edhe nga politikat e kohës, por në çdo rast, veçanërisht në një shoqëri bashkëkohore, arsimi e kultura janë e duhet të jenë paraprurësit e zhvillimit të shoqërisë, pararendësit e përgatitësit e reformave e të ndryshimeve në sektorët e tjerë.

 

Pra kryereforma në vendet si i yni, që kërkojmë t’i bashkohemi Evropës së bashkuar, duhet të jetë ajo në arsim e shkencë me përparësi ndaj atyre në drejtësi, gjyqësor apo asaj zgjedhore; transformimi i infrastrukturës shkollore, veçanërisht në arsimin e lartë, duhet të jetë më parësor se transformimi i infrastrukturës rrugore.

 

Ky është mesazhi i parë që duam të përcjellim nga kjo konferencë. Edhe vetë suksesi i reformave të tjera e veçanërisht, garantimi i efektit afatgjatë të tyre, lidhet me suksesin e reformave arsimore, pasi s’mund të ketë efektin e duhur p.sh., reforma në drejtësi pa u shoqëruar me rritjen e përgatitjes profesionale të juristëve e gjykatësve ndër vite, ashtu si standardet në zgjedhje nuk mund të arrihen vetëm duke përmirësuar kodin zgjedhor pa përmirësuar vetë formimin e kulturën e qytetarëve ndaj vlerave e parimeve demokratike, ndaj respektit të votës së lirë, të aftësisë së tyre për të zgjedhur. Përqasja e qytetarit ndaj këtyre vlerave si ushtrues i thjeshtë apo pjesë e politikës, varet mjaft nga niveli e cilësia e arsimimit dhe kulturës së fituar.

 

Pikërisht kjo konferencë i kushtohet problematikës së gjerë e komplekse me të cilën ndeshet arsimi për të kryer misionin e tij në një shoqëri moderne, si pararendës i zhvillimit e emancipimit të mëtejshëm të saj.

 

Preokupimi i parë i shoqërive tona është konsolidimi i vlerave dhe parimeve kryesore demokratike, i konceptit e bazave të shtetit të së drejtës, përparësive të integrimit e bashkëpunimit, shkëmbimit ndër arsimor e kulturor dhe ruajtjes e kultivimit të identiteteve etnike si pasuruese të mozaikut e jo si ishuj ndarës. Pikërisht ky është misioni i parë i shkollës në shoqëritë tona: përgatitja, formimi e informimi i brezave të rinj si qytetarë të kësaj shoqërie, si njohës përfitues e ushtrues të këtyre vlerave e parimeve. Formimi i njeriut qytetar, si pjesëmarrës aktiv i shoqërisë, ka qenë një preokupim i të gjitha shoqërive të zhvilluara që nga demokracia antike greke e republika romake e deri te parlamentarizmi e republikanizmi europian.

 

Rol parësor në formimin si qytetar luan shkollimi masiv e falas, deri dje arsimi bazë 4, 8 e 9 vjeçar sot, arsimi mesëm, e nesër tri vitet e para të shkollës së lartë. Sot shkollës krahas avantazheve që i jep teknologjia në formimin e brezave të rinj i duhet të përballojë disa sfida të reja, që gjithashtu favorizohen prej tij: siç janë dizinformimi, anti shkollimi e anti kultura, që përhapet intensivisht nëpërmjet rrjeteve sociale shoqëruar këto edhe me vënien në diskutim të vetë vlerave të demokracisë, me nxitje të urrejtjes ndër etnike e teza të tjera populiste. Është e mirënjohur se viktimat e para e me të lehta të tyre janë më pak të arsimuarit apo të arsimuarit formalisht.

 

Në këto rrethana, merr rëndësi të mësuarit krijues në nivelin bazë të arsimimit dhe veçanërisht një ndryshim thelbësor në raportin midis dijeve formuese dhe informuese.

 

Kërkesa e dytë madhore e shoqërive moderne ndaj shkollës e arsimit është përgatitja e specialisteve të çdo niveli sipas kërkesave të kohës për të ardhmen, përgatitja e gjeneratave të reja për t’u punësuar e integruar në shoqëri dhe këtë mision e kryen së pari shkolla e lartë dhe rrjeti i arsimit profesional. Shkolla e lartë ka rol parësor jo vetëm pse aty përgatiten specialistët e lartë, por sepse aty përgatiten edhe mësuesit nga niveli i te cilëve varet cilësia e shkollave. Arsimi i lartë është lokomotiva e zhvillimit të arsimit në tërësi, ai duhet të jetë pararendësi i zhvillimit të tij.

 

Në këtë këndvështrim zgjedhja nga organizatorët për të trajtuar problemet e arsimit e të kulturës, me përfaqësues të arsimit të lartë është e mirë menduar. Sigurisht arsimi i lartë te ne ka njohur ndryshime të mëdha nga ana sasiore, të cilat nuk janë shoqëruar me të njëjtën masë të rritjes cilësore përkundrazi, liberalizimi i arsimit të lartë nuk është shoqëruar në po atë masë me investimet në infrastrukturë e përgatitjen e personelit akademik. Trajtimi në këtë konferencë i problemeve të konsolidimit të programeve e kurrikulave në standardet e kohës, vendosjes së shkëmbimeve ndëruniversitare deri në nivel partneriteti e njehsimit të diplomave, i kritereve e procedurave të pranimit në shkollat e larta, i respektimit e mosdeformimit të hierarkisë midis studentëve sipas aftësive personale, i mobilitetit të niveleve të ndryshme të shkollimit e atij ndërdisiplinor, i raportit arsim i lartë për të gjithë, me diplomë për të gjithë a doktoraturë për të gjithë, i dallimit midis mbajtësit të diplomës së lartë me mësimdhënësin në shkollë të lartë etj., pa dyshim do t’i shërbejnë forcimit të mëtejshëm e rritjes së nivelit të shkollave të larta.

 

Në shoqëritë tona shkollat e larta janë e duhet të jenë qendrat kryesore të kërkimit shkencor, sa më e zhvilluar është shoqëria aq më e fortë është kërkesa e saj ndaj shkollës së lartë, për të rritur këtë komponent. Zhvillimi e fuqizimi i kërkimit shkencor është një mision i përbashkët i Akademisë e shkollave të larta. Kjo nuk i shërben vetëm zhvillimit të shkencës, zbatimit të arritjeve të saj në futjen e teknologjive e metodave të reja, në përmirësimin e vet cilësisë së jetesës, por ajo ndikon po aq në zhvillimin e arsimit.

 

Nëpërmjet kërkimit shkencor, pedagogët ngrenë nivelin e tyre shkencor, njohin e përvetësojnë njohuritë e reja për t’i sintetizuar e transmetuar te specialistët e profesionistët e rinj, të cilët më tej i transmetojnë ato në tërë nivelet e tjera të shkollimit. Për këtë qëllim ne synojmë ngritjen e qendrave kërkimore pranë ASH, me rol bashkëpunues ndërinstitucional në kërkim, në fushat kryesore të shkencës e dijës së albanologjisë, nano e bioteknologjisë, inteligjencës artificiale, energjitë e rinovueshme e sizmikë.

 

Mbarësi konferencës, përgëzime organizatorëve, faleminderit të gjithëve ju, që punuat frytshmërisht nën bashkëkryesimin me kolegun Dhimitri Bello, Rektor i Universitetit të Korçës Fan Noli.

 

Akad. Skënder GJINUSHI, Kryetar

Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Korçë, më 5 nëntor 2021